ÇFARË është CENS?

Censi i Popullsisë dhe Banesave 2022 do të jetë Censi i 12-të, që kur Shqipëria u shpall shtet i pavarur në vitin 1912, ku Censi i parë u krye në vitin 1923. Që prej Censit të vitit 1989, metodologjia e tij ka ndjekur gjithnjë e më shumë rekomandimet ndërkombëtare për kryerjen e Censit. Censi i Popullsisë dhe Banesave 2022 synon të jetë në përputhje të plotë me rekomandimet e Komisionit Ekonomik të Kombeve të Bashkuara për Evropën (UNECE) për raundin e vitit 2020 të Censeve dhe gjithashtu me rregulloret e fundit të BE-së për zbatimin Censit të Popullsisë dhe Banesave.

Censi i Popullsisë dhe Banesave ofron të dhëna mbi numrin zyrtar të popullsisë në një vend, në njësinë më të vogël gjeografike, së bashku me informacionin mbi një numër të zgjedhur të karakteristikave demografike, sociale dhe ekonomike të popullsisë. Në mënyrë të ngjashme, Censi i banesave ofron  numërimin zyrtar të të gjitha banesave në vend në njësinë më të vogël gjeografike, së bashku me informacionin mbi një numër të zgjedhur të karakteristikave të banesave.

Kur do të kryhet Censi i Popullsisë dhe Banesave 2022?

Censi i Popullsisë dhe Banesave do të zhvillohet në Tetor 2022. Puna në terren do të zgjasë gjashtë javë.

Risitë e Cens 2022:

  1. Përdorimi i pajisjeve elektronike (tabletë), të cilat do të zëvendësojnë pyetësorët letër për procesin e mbledhjes së të dhënave në terren;
  2. Modernizimi i Sistemit të Informacionit Gjeografik (GIS) – mbledhja, monitorimi, analiza dhe shpërndarja e të dhënave;
  3. Censi do të shërbejë si bazë për konceptimin dhe krijimin e regjistrave statistikorë të popullsisë banuese, ndërtesave dhe banesave.