Kapitulli 16: Tatimet

Acquis për tatimet kërkon harmonizimin e legjislacionit tatimor të Shteteve Anëtare (dhe vendeve aderuese) me atë të BE-së kryesisht në fushën e tatimeve indirekte, përkatësisht për tatimin mbi vlerën e shtuar (TVSH) dhe detyrimet e akcizës. Mbulohen gjithashtu dhe disa aspekte të tatimit të drejtpërdrejtë (tatimi mbi të ardhurat personale dhe tatimin mbi të ardhurat e korporatave) dhe përcaktohen rregulla për eliminimin e taksimit të dyfishtë dhe parandalimin e evazionit fiskal, teksa kërkohet edhe bashkëpunimi administrativ për çështje tatimore.

Në lidhje me tatimin e tërthortë, acquis përcakton qëllimin, përkufizimet dhe parimet e TVSH-së. Akcizat për produktet energjetike, produktet e duhanit dhe pijet alkoolike mbulohen gjithashtu nga acquis në këtë fushë. Legjislacioni i BE-së mbi akcizat përfshin përcaktimin e kategorive të mallrave që i nënshtrohen akcizës, prodhimin, ruajtjen dhe qarkullimin e tyre brenda BE-së, metodën e tatimit, nivelet minimale të akcizës dhe fushëveprimin e përjashtimeve. Sa i përket tatimit të drejtpërdrejtë, legjislacioni në fushën e tatimit mbi të ardhurat e  korporatave mbulon tatimet mbi të ardhurat dhe kapitalin. Në fushën e tatimit mbi të ardhurat personale, në fokus të legjislacionit është tatimi i interesit, pensioneve dhe pagesave të dividentëve që u bëhen individëve.

Për më tepër, Shtetet Anëtare duhet të zbatojnë parimet e Kodit të Sjelljes për Tatimin e Biznesit, me qëllim eliminimin e masave të dëmshme tatimore. Bashkëpunimi administrativ dhe ndihma e ndërsjellë ndërmjet Shteteve Anëtare ka për qëllim sigurimin e një funksionimi pa probleme të tregut të brendshëm sa i përket tatimit dhe siguron mjete për të parandaluar evazionin tatimor ndër-Komunitar dhe shmangien e taksave.

Institucioni lider për këtë kapitull
Ministria e Financave dhe Ekonomisë