Kryenegociatori

Kryenegociatori luan njërin prej roleve më të rëndësishëm në procesin e zhvillimit të negociatave për anëtarësim. Në cilësi të anëtarit të Komitetit Shtetëror për Integrimin Evropian, Kryenegociatori është përgjegjës për paraqitjen e projekt-qëndrimit negociues për çdo kapitull acquis. Ai merr pjesë në negociata si në nivel politik, si zëvendës kryetar i Delegacionit Shtetëror, ashtu dhe në nivel teknik si kryetar i Grupit Negociator.

Si kryetar i Grupit Negociator, Kryenegociatori:

Drejton procesin e negociatave për çdo kapitull acquis me institucionet e BE-së në nivel teknik, sipas qëndrimeve negociuese të miratuara.

Drejton procesin e vlerësimit të impaktit e MSA-së dhe të harmonizimit të acquis mbi financat publike dhe sistemin ligjor vendas, si dhe drejton vlerësimin e prioriteteve dhe monitorimin e IPA-ve dhe të projekteve të tjera të financuara nga donatorë të huaj.

Koordinon punën e Sekretariatit të Integrimit Evropian dhe të Grupeve Ndërinstitucionale të Punës, si dhe i udhëheq këta gjatë procesit të negociatave, etj.

Kryenegociatori i Shqipërisë , i cili do të drejtojë bisedimet mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian është z. Zef Mazi, një ndër kapitujt e integrimit që do të drejtoje z. Mazi është edhe Kapitulli 18 "Statistikat" në cilin Instituti i Statistikave është përgjegjës dhe lider për kapitullin.

Kapitulli 18 "Statistikat" është një ndër 8 kapitujt e parë themelorë që do të trajtohet në rastin e hapjes së negociatave të antarësimit.

Zef Mazi është ish-diplomat shqiptar i cili, që nga viti 2011, shërben si Asistent Special për Strategjinë i Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike.

Zef Mazi ka qënë Ambasador i Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar, në Republikën e Irlandës. Ai ka qënë Përfaqësues i Përhershëm i Shqipërisë në Zyrën e Kombeve të Bashkuara në Vienë, në Agjensinë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore (ANEA), në Organizatën për Bashkëpunim dhe Siguri në Evropë (OSBE), në Organizatën për Zhvillimin Industrial të Kombeve të Bashkuara (UNIDO) dhe në Organizatën për Ndalimin e Plotë të Provave Bërthamore.