Sekretariati i Integrimit Evropian

Sekretariati i Integrimit Evropian (Sekretariati) përbëhet nga nëpunës diplomatikë dhe civilë të ministrisë përgjegjëse për çështjet e integrimit evropian dhe punët e jashtme. Sekretariati është përgjegjës për koordinimin e politikave kombëtare me ato të Bashkimit Evropian.


Sekretariati i Integrimit Evropian, përveç detyrave funksionale në ministrinë përgjegjëse për punët e jashtme, ushtron këto funksione:

 bashkërendon dhe mbështet aktivitetin e Grupeve Ndërinstitucionale të Punës si në kuadër të detyrimeve në kuadër të Procesit të Stabilizim-Asociimit ashtu edhe në kuadër të procesit të negociatave për çdo kapitull të acquis të Bashkimit Evropian;

 bashkërendon dhe mbështet hartimin e raportit analitik përfundimtar të harmonizimit të legjislacionit vendas me acquis të Bashkimit Evropian (“screening”), nga secili Grup Ndërinstitucional Pune;

 përgatit projekt-propozimet për qëndrimet negociuese për çdo kapitull të acquis të Bashkimit Evropian, mbështetur në projekt-propozimet e qëndrimeve negociuese të hartuara nga secili Grup NdërInstitucional Pune;

 koordinon ndërveprimin dhe shkëmbimin e dokumentacionit ndërmjet Delegacionit Shtetëror, Grupit Negociator dhe Kryenegociatorit me Grupet Ndërinstitucionale të Punës;

 administron bazën e të dhënave elektronike për monitorimin e procesit të negociatave dhe detyrimeve që rrjedhin prej tij, etj.

Sekretariati i Integrimit Evropian i kryen funksionet e tij nën udhëzimet e Kryenegociatorit.