Memorandum Bashkëpunimi mbi Statistikat Financiare

29 Dhj 2017 - 29 Dhj 2017

Instituti i Statistikave (INSTAT) dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) nënshkruan një memorandum bashkëpunimi mbi statistikat financiare.

Memorandumi i bashkëpunimit u nënshkrua nga Drejtoresha e Përgjithshme e INSTAT, Znj. Delina Ibrahimaj dhe Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Z. Ervin Koçi.

Nëpërmjet këtij memorandumi kërkohet një bashkëpunim i ngushtë midis Institutit të Statistikave dhe Autoritetit të Mbikëqyrjes Finanaciare duke përcaktuar përgjegjësitë për transmetimin e të dhënave në kuadër të prodhimit të statistikave kombëtare sipas Programit të Statistikave Zyrtare. Për më tepër, nevojitet një bashkëpunim midis palëve për hartimin e planeve strategjike në fushën e statistikave, përmirësimeve në metodologjinë e statistikave, metodave dhe teknikave ekzistuese, përmes grupeve të punës dhe shkëmbimit të rregullt të dokumentave formalë dhe teknik.

INSTAT dhe AMF bien dakord që të bashkëpunojnë për realizimin e anketave dhe vrojtimeve statistikore të bizneseve dhe konsumatorëve/investitorëve në kuadër të objektivave ligjore të përcaktuara për AMF-në: mbrojtja e investitorëve e të personave të siguruar dhe nxitja e qëndrueshmërisë, transparencës dhe besueshmërisë së tregjeve financiare që mbikëqyren nga AMF.