Llogaritë Vjetore sipas Sektorëve Institucional

Llogaritë sektoriale paraqesin një pasqyrë koherente të të gjitha proceseve ekonomike dhe rolet e sektorëve të ndryshëm në ekonomi. Në këtë publikim paraqiten dy llogaritë e para jo-financiare sipas Sektorëve Institucional, për vitet 2013 - 2015 në përputhje me Sistemin Evropian të Llogarive (ESA2010). Llogaritë sektoriale tregojnë kështu ndërveprimet midis sektorëve të ndryshëm të ekonomisë, duke përfshirë lidhjet midis ekonomisë kombëtare si një e tërë dhe pjesës tjetër të botës. Procesi i prodhimit të llogarive jo-financiare sipas sektorëve institucional mbështetet në integrimin e një tërësie të dhënash të cilat përfshijnë vrojtime apo CENS-et, të dhëna administrative, ekstrapolime dhe modele. Konceptet, definicionet dhe klasifikimet bazohen në sistemin Evropian të Llogarive (ESA 2010).
Njësia statistikore bazë mbi të cilën janë mbështetur vlerësimet është njësia institucionale. Njësitë institucionale janë klasifikuar në pesë sektorë institucionalë, në sektorin Jo- Financiar (S.11), sektorin Financiar (S.12), sektorin e Administratës Publike (S.13), sektorin e Familjeve (S.14) dhe sektorin e Institucioneve jo-fitimiprurëse në shërbim të familjeve (S.15). Këto pesë sektorë së bashku përbëjnë ekonominë gjithsej (S.1).
Llogaritë jo-financiare janë në konsistencë me publikimet vjetore të PBB-së sipas metodës së prodhimit dhe të shpenzimeve.
Çdo proces ekonomik përshkruhet në një llogari të veçantë. Llogaritë regjistrojnë transaksione ekonomike, duke i ndarë ato në burime, përdorime dhe një zë balancues i të dy krahëve të çdo llogarie. Balancuesi kalon nga njëra llogari në tjetrën duke krijuar një lidhje ndërmjet tyre

Kalendari

Nuk ka evente në kalendar për këtë temë
Na kontaktoni
Rr. Vllazën Huta, Ndërtesa 35,
Hyrja 1, Tiranë, Kodi Postar 1017
Tel:
+355 4 2222 411
Fax:
+355 4 2228300
info@instat.gov.al
media@instat.gov.al

Llogaria e prodhimit

Llogaria e prodhimit shpreh transaksionet që lidhen me procesin e prodhimit. Prodhimi (Output-i) regjistrohet si një burim, Konsumi i Ndërmjetës si një përdorim. Balancuesi i këtyre dy zërave për sektorët individual është Vlera e Shtuar Bruto me çmime bazë (B.1 g). Llogaria e prodhimit të ekonomisë gjithsej (S.1) është shuma e llogarive të prodhimit të sektorëve individual, së bashku me transaksionet për të cilat nuk është e mundur një shpërndarje sektoriale (Taksat dhe Subvencionet mbi Produktet). Zëri balancues i Llogarisë së Prodhimit për ekonominë gjithsej është Produkti Brendshëm Bruto, me çmime të tregut (B.1*g).

Llogaria e gjenerimit të të ardhurave

Kjo llogari paraqet transaksionet, përmes të cilave Produkti i Brendshëm Bruto me çmimet e tregut shpërndahet sipas elementëve: punë (kompensimi i punonjësve), taksa (diferenca e taksave dhe subvencioneve mbi prodhimin) dhe “Fitimi operativ bruto (B.2g) / Të ardhura mikse bruto (B.3g)”, i cili është edhe zëri balancues i kësaj llogarie.

Njësia institucionale

Njësia institucionale është subjekti ekonomik i karakterizuar nga autonomia në vendimmarrje në ushtrimin e funksionit të tij kryesor. Njësia rezidente konsiderohet si përbërëse e njësisë institucionale në territorin ekonomik ku ka qendrën e saj të interesit ekonomik nëse ka autonomi vendimmarrjeje dhe nëse mban një grup të plotë llogarish ose nëse është në gjendje të përpilojë një grup të plotë llogarish. Për qëllimet e sistemit të llogarive, bazuar në tipin e prodhuesve dhe  aktiviteteve e funksioneve të tyre kryesore që diktojnë një sjellje ekonomike të caktuar, njësitë institucionale janë grupuar së bashku në pesë sektorë institucionalë të përbërë nga: Korporatat Jo Financiare, Korporatat Financiare, Qeveria e Përgjithshme, Ekonomitë Familjare dhe Institucionet jo-fitimiprurëse që u shërbejnë familjeve. Këto pesë sektorë së bashku përbëjnë ekonominë e përgjithshme dhe çdo sektor mund të jetë i ndarë në nënsektorë.

S.11 Sektori  jo-financiar përbëhet nga njësitë institucionale të cilat janë subjekte juridike të pavarura dhe prodhues tregu dhe aktiviteti kryesor i të cilave është prodhimi i të mirave dhe shërbimeve jo financiare.

S.12 Sektori financiar përbëhet nga njësitë institucionale të cilat janë subjekte juridike të pavarura dhe prodhuese tregu, dhe veprimtaria kryesore e të cilave është prodhimi i shërbimeve financiare.

S.13 Sektori i administratës publike  përbëhet nga njësitë institucionale që janë prodhuese jotregu, prodhimi i të cilave i drejtohet konsumit individual dhe kolektiv, dhe të financuara kryesisht nga pagesat e detyrueshme të bëra nga njësitë që u përkasin sektorëve të tjerë dhe njësitë institucionale të angazhuara kryesisht në rishpërndarjen e të ardhurave dhe pasurive kombëtare.

S.14 Sektori i familjeve përbëhet nga individë dhe grupe individësh si konsumatorë dhe si sipërmarrës që prodhojnë mallra tregtare dhe shërbime financiare dhe jofinanciare (prodhues tregu) vetëm nëse, prodhimi i mallrave dhe shërbimeve nuk bëhet nga subjektet e veçanta të trajtuara si kuazi-korporata. Ai përfshin gjithashtu individë apo grupe individësh si prodhues mallrash dhe shërbimesh jofinanciare për konsum final vetjak.

S.15 Sektori i Institucioneve jofitimprurëse në shërbim të familjeve (IJFSHF) përbëhet nga institucione jofitimprurëse që janë subjekte të veçanta juridike, që u shërbejnë familjeve dhe që janë prodhues privatë tregu. Burimet kryesore të tyre nxirren nga kontributet vullnetare në para fizike ose në natyrë nga familje në cilësinë e tyre si konsumatorë, nga pagesat e bëra nga administrata publike dhe nga të ardhurat e pasurive.

 

Përkufizime të variablave

Prodhimi: Aktivitet i ushtruar nën kontrollin dhe përgjegjësinë e një njësie institucionale që kombinon burimet në fuqi punëtore, kapital dhe produkte e shërbime për të prodhuar produkte ose kryer shërbime. Proceset e pastra natyrore pa ndërhyrjen ose kontrollin e njeriut nuk bëjnë pjesë në prodhim. Ekzistojne tre lloje të prodhimit: prodhim tregu; prodhim i prodhuar për konsum final vetjak dhe prodhim tjetër jo-tregu.
Konsumi ndërmjetës: Vlera e produkteve ose shërbimeve të transformuara ose plotësisht të konsumuara gjatë procesit të prodhimit. Përdorimi i aktiveve fikse të vëna në punë nuk merret parasysh; ai evidentohet në konsumin e kapitalit fiks.

Vlera e shtuar bruto: Vlera e shtuar bruto përfaqëson kontributin e aktiviteteve të ndryshme në PBB dhe llogaritet si diferencë midis prodhimit dhe konsumit të ndërmjetëm.

Taksat mbi produktet dhe importin: Taksat mbi produktet janë taksat e pagueshme për njësi të disa mallrave dhe shërbimeve si: Taksa mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), akciza dhe taksa doganore mbi importet.

Subvencione në produkte dhe importe: Subvencionet në produkte janë pagesat e pakthyeshme që njësitë e administratës publike bëjnë tek ndërmarrjet si një shumë e caktuar parash për njësi të një malli ose shërbimi. Subvencionet në importe konsistojnë në subvencionimin e mallrave ose shërbimeve që bëhen të pagueshme kur malli kapërcen kufirin e territorit ekonomik ose kur shërbimet i janë kaluar njësive institucionale rezidente.

Kompensimi i punonjësve përkufizohet si shpërblimi total, në para ose në natyrë, që punëdhënësi i paguan punonjësit në këmbim të punës së kryer nga ky i fundit, gjatë periudhës kontabël. Kompensimi i punonjësve përfshin pagat dhe kontributet sociale të punëdhënësve.

Fitimi Operativ Bruto / Të ardhurat mikse (B.2g / B.3g)
Fitmi Operativ Bruto (B.2g) është diferenca që mbetet pas zbritjes nga vlera e shtuar (me çmime bazë) të kompensimit të punonjësve dhe i taksave dhe subvencioneve të tjera në prodhim. Fitimi operativ i të vetëpunësuarve quhet “E ardhur mikse bruto (B.3g)”, sepse ajo gjithashtu përmban kompensim për punën e personave të vetëpunësuar dhe anëtarët e familjes së tyre.