Anketa e Buxhetit të Familjes

Statistikat e Konsumit sigurojnë përshkrime të nivelit dhe strukturës së shpenzimeve për konsum të Njësive Ekonomike Familjare (NjEF) me vendbanim të zakonshëm në Shqipëri si dhe të treguesve të tjerë me bazë shpenzimet e konsumit.

Anketa e Buxhetit të Familjes është një vrojtim statistikor që kryhet pranë njësive ekonomike familjare (NjEF). Rezultatet e kësaj ankete përdoren gjithashtu për përditësimin e Indeksit të Çmimeve të Konsumit dhe llogaritjen e Konsumit Final të NjEF si një agregat i rëndësishëm i PBB me metodën e shpenzimeve. Anketa e Buxhetit të Familjes u krye për herë të parë në vitet 1999-2000 dhe ishte përfaqësuese vetëm për zonat urbane, për të vazhduar më pas në vitet 2006-2007, 2008-2009 dhe që nga viti 2014 e vazhdueshme. Nga viti 2006-2007 anketa është kryer në të gjithë territorin e Shqipërisë si dhe me përfaqësim në nivel qarku.

Raporti i Cilësisë
Publikimi i radhës
Anketa e Buxhetit të Familjes, 2017

Kalendari

Nuk ka evente në kalendar për këtë temë
Na kontaktoni
Blv. Zhan d'Ark, nr. 3
Tiranë, 1001
Tel:
+355 4 2222 411
Fax:
+355 4 2228300
info@instat.gov.al
media@instat.gov.al

Anketa e Buxhetit të Familjes kryhet gjatë një periudhe një vjeçare ka një target NjEF të zgjedhura përfaqësuese, të shpërndara në mënyrë uniforme në të gjithë territorin e Shqipërisë.

Zgjedhja e kampionit bëhet sipas një procedure dy-hapëshe. Njësitë e hapit të parë (PSU) janë zonat e Censusit të homogjenizuara[1] , me probabilitet përpjesëtimor me madhësinë e zonës së Censusit. Në hapin e dytë, brenda secilës prej zonave të zgjedhura në hapin e parë, zgjidhen sipas metodës së zgjedhjes sistematike me probabilitet të barabartë një numër fiks prej 12 NjEF. Zgjedhja në të dyja hapat është bërë në mënyrë të rastësishme duke siguruar një përfaqësim edhe në nivel qarku. Totali i NjEF të kampionuara ndahet në 4 nën-kampione tre-mujore të cilët shpërndahen gjeografikisht në mënyrë homogjene gjatë gjithë vitit, për të përfshirë edhe ndryshimet stinore.

 

 

Mbledhja e të dhënave bazohet në dy mënyra të ndryshme të mbledhjes së informacionit:

 

  • Plotësimi i një ditari nga ana e NjEF për 14 ditë në vazhdim ku regjistrohen shpenzimet për blerje produktesh/shërbimesh të konsumit të gjerë si dhe, sa herë që plotësohen kushtet, plotësimi i një ditari të veçantë për autokonsum ku familja regjistron vetëm produktet e prodhuara dhe të konsumuara gjatë 14 ditëve te referencës, vlerësuar me çmimin që do të kishte paguar për t’i blerë në dyqanin më të afërt.

 

  • Kryerja e një interviste direkte nga anketuesit nëpërmjet një pyetësori ku përfshihen pyetje mbi shpenzimet me vlerë më të madhe dhe me frekuencë blerjeje më të rrallë, të grupuara dhe të ndara sipas temave të veçanta. Në të njëjtin pyetësor janë përfshirë edhe pyetjet mbi të dhënat socio-demografike të anëtarëve të NjEF që do të shërbejnë gjatë analizës së buxhetit familjar sipas tipologjive të NjEF.

 

 

Struktura e shpenzimeve të konsumit të familjeve

Konsumi final i NjEF përfaqëson vlerën e produkteve dhe shërbimeve që përdoren për të plotësuar nevojat individuale të NjEF. Duhet theksuar se punimet për mirëmbajtje dhe riparime të jashtëzakonshme kapitale si dhe blerja e një apartamenti janë konsideruar si investime kapitale të bëra nga NjEF dhe jo si shpenzime konsumi.

 

Për të bërë klasifikimin e produkteve dhe shërbimeve të blera nga NjEF, është përdorur Klasifikimi Europian i Produkteve sipas Qëllimit (COICOP - 6 digit, 2012) i përshtatur për Anketën e Buxhetit të Familjes në kushtet e Shqipërisë. Struktura e shpenzimeve për konsum të NjEF është paraqitur sipas ndarjes në 12 grupet kryesore të konsumit.

Klasifikimi i përdorur për të ndarë 12 grupet kryesore të duke përdorur Klasifikimin e Konsumit Individual sipas Qëllimit (COICOP)

GRUPET KRYESORE TË KONSUMIT

Disa detaje përsa i përket zërave në çdo kategori të cilat shërbejnë vetëm për konsum familjar.

1 - USHQIME DHE PIJE JO-ALKOOLIKE

Produktet ushqimore të klasifikuara këtu janë ato të blera dhe të prodhuara për konsum në shtëpi.

Grurë, misër, oriz, miell dhe nënprodukte të tij, bukë, mish, peshk, produkte të tjera deti, vaj, fruta, perime, qumësht, djathë, gjalp, gjizë, vezë, ujë mineral dhe me gaz, lëngje frutash, kafe, çaj, mjalt, produkte sheqeri, të gjitha produktet e kësaj kategorie të prodhuara nga vetë familja, etj.

2 - PIJE ALKOOLIKE DHE DUHAN

Pijet alkoolike të klasifikuara këtu janë ato që zakonisht blihen për konsum në shtëpi.

Verë, birrë, raki, whisky, të gjitha llojet e likernave, uzo dhe pije të tjera gjallëruese,duhan, cigare, puro, letër cigare, filtër, etj.

3 - VESHJE DHE KËPUCË

Në këtë zë përfshihen veshje, këpucë, të reja apo të përdorura, materiale për veshje, dhe riparimi i tyre, etj.

Veshje për burra, gra, fëmijë (3 deri 13 vjeç) dhe foshnja (0 deri 2 vjeç), qofshin të gatshme ose të bëra me porosi, në të gjitha materialet (përfshirë lëkure, gëzof, plastike dhe gome), të përditëshme, për sporte ose për punë: pardesy, mantele shiu, bluza, xhupa, xhaketa, pantallona, kostume, fustane, funde, etj. Këmisha, bluza, pulovra, bluza pas trupit, pantallona të shkurtra, rroba banje, tuta, kostume vrapimi, geta ,etj. Jelek, të brendëshme, çorape, streçe, geta, sutiena, funde me palë, të brendëshme me tantellë, fustane nate, breza, korse, çorape të thurura, etj. Pizhama , bluza nate, robdishane, kostume banje, xhaketa për shtëpi, etj.

Veshje për fëmijë dhe çorape të thurura për fëmijë.

4 - SHPENZIME PËR BANESËN, UJI,ENERGJI ELEKTRIKE ,QIRA TË PAGUARA

Në këtë zë përfshihen: qiraja e paguar (si shpenzim i kryer efektivisht për marrjen e ambienteve të banimit me qira nga ana e NjEF), mirëmbajtja dhe riparimi i banesës, materiale për riparim, pagesa për energji elektrike: ujë, gaz, heqje plerash, dhe të gjitha pagesat që kanë lidhje me banesën e familjes, etj.

5 -MOBILIM, PAJISJE SHTËPIAKE DHE MIRËMBAJTJE TË ZAKONSHME TË BANESËS

Në këtë zë perfshihen : Krevate, sofa, divane, tavolina, karrige, bufe, komo dhe rafte librash, pajisjet e ndriçimit si abazhurë tavanesh, llampa standart, në formë globesh dhe abazhurë komodinash , të gjitha llojet e tekstileve për shtëpi, pajisje elektroshtëpiake, pajisje dhe vegla për kopshtin, tapete, riparimi i tyre, pagesa për kopshtar, guzhiniere, dado, etj.

6 - SHËNDET

Ky grup mbulon ilaçet, protezat, makineritë dhe pajisjet mjekësore si dhe produkte të tjera të lidhura me mjekimin të blera nga individët, me dhe pa recetë, zakonisht nga furnizuesit e ilaçeve, aparatura dhe pajisje terapeutike, të gjitha llojet e shërbimeve mjekësore përfshirë dhe ato ambulatore, etj.

7 - TRANSPORT

Të gjitha llojet e makinave, të reja dhe të përdorura, taxi, bileta avionësh, të gjitha llojet e biletave naftë, gas, pjesë këmbimi dhe riparime, garazhde, etj.

8 - KOMUNIKIM

Shërbime postare, të gjitha llojet e shërbimeve për komunikim,telefona, celularë, fax, internet, etj.

9 - ARGËTIM DHE KULTURA

Në këtë zë përfshihen të githa llojet e pajisjeve audio-vizuale, aparate marrje, regjistrimi dhe riprodhimi të tingujve dhe filmave, pajisjet e përpunimit të informacionit, pajisje fotografike dhe kinematografike dhe instrumente optike, pajisje afatgjata për argëtim në ambientet e jashtme, pajisjet kryesore për lojra dhe sport, bileta, lojra fati , riparimi dhe mirëmbajtja e tyre, etj.

10 -ARSIM

Kjo ndarje përfshin vetëm shërbimin e arsimit.

Klasifikimi i shërbimeve të arsimit bazohet në kategoritë sipas niveleve të Klasifikimit Standart Ndërkombëtar të Arsimit (ISCED) të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsimin, Shkencën dhe Kulturën (UNESCO).

Përfshihen: Arsimi parashkollor dhe fillor, 8/9 vjeçar, i mesëm,  parauniversitar, i lartë, si dhe i papërcaktuar në nivele.

11 -RESTORANTE DHE HOTELE

Në këtë zë perfshihen: Restorante, bare dhe të tjera si këto, shërbimet e akomodimit, menca, etj.

Përfshihen: shërbime të shpërndarjes së produkteve ushqimore (ushqime, meze, pije dhe pije freskuese) të ofruara nga restorantet, kafenetë, bufetë, baret, etj. Hotele, motele, hane dhe shërbime të ngjashme akomodimi, qendra pushimesh, vende për kamping, bujtina për të rinjtë dhe shërbime të ngjashme akomodimi, shërbimet e akomodimit të institucioneve të tjera.

12 – TË TJERA MALLRA DHE SHËRBIME

Në këtë zë përfshihen: Sallone bukurie dhe institucione të kujdesit personal, pajisje elektrike dhe jo-elektrike për kujdes personal, riparimi i pajisjeve për kujdes personal, sende personale, përkrahja sociale, sigurimi, shërbime financiare të specifikuara, shërbime të tjera të paspecifikuara, etj.

 

 Baza ligjore

 

  • Ligji nr. 9180, datë 5.2.2004 "Për statistikat zyrtare, i ndryshuar”

 

Variablat kryesorë të Anketës së Buxhetit të Familjes:

 

  • Struktura e buxhetit të NjEF sipas 12 grupeve kryesore të konsumit
  • Shpenzimet mujore sipas qarqeve
  • Shpenzimet mujore sipas arsimit të kryefamijarit
  • Shpenzimet mujore sipas madhësisë së NjEF
  • Shpenzimet mujore sipas Tipologjisë së NjEF

Përkufizime

Shpenzimet për konsum të NjEF përfshijnë çdo lloj blerjeje produktesh dhe shërbimesh për të plotësuar nevojat individuale të NjEF dhe individëve me përjashtim të blerjeve për pajisje afatgjatë, investimeve kapitale, parave për të tretët dhe qirasë së imputuar.

Grupet kryesore të konsumit janë përcaktuar sipas Klasifikimit të Konsumit Individual sipas Qëllimit (COICOP), 2012.

Periudha e referencës është kohëzgjatja së cilës i referohet një çështje e caktuar informacioni. Anketa përdor periudha të ndryshme reference në varësi të tipit të informacionit që duhet marrë dhe objektivave të secilës çështje për t’u analizuar.

Një njësi ekonomike familjare (NjEF) i referohet një grupi personash ose një personi me lidhje gjaku ose jo të cilët banojnë së bashku në një banesë dhe që ndajnë një ekonomi pjesërisht ose plotësisht të përbashkët.

Kryefamijari është një person, që përcaktohet si i tillë për qëllimet e anketës (person që është pronar i banesës ose person i identifikuar si i tillë nga anëtarët e tjerë të NjEF). Nëse anëtarët e NjEF nuk e përcaktojnë vetë këtë person, normalisht do të jetë personi që kontribuon më shumë në të ardhurat totale të NjEF.

Fëmijë është konsideruar çdo individ nën moshën 18 vjeç.

[1] Homogjene nënkupton që çdo zonë Censusi ka të njëjtat karakteristika në shpenzimet e konsumit midis NjEF dhe madhësia për secilën PSU ka përafërsisht të njëjtin numër NjEFapo individësh.