Mjedisi

Objektivi kryesor i statistikave të mjedisit është prodhimi i statistikave të kuptueshme nga përdoruesit, të standardizuara sipas akteve normative të BE-së dhe të përshtatshme për përdorim në hartimin e politikave dhe menaxhimin e aktiviteteve me impakt mjedisor ne shkallë vendi e me gjerë. Statistikat e Mjedisit ofrojnë informacion të përgjithshëm dhe specifik mbi mjedisin. Treguesit statistikor për mjedisin përgjithësisht prodhohen në frekuencë vjetore dhe paraqesin vlera të treguesve mjedisor në nivel kombëtar. Të dhënat që mblidhen janë: cilësia e ajrit (SO2, NO2, O3, LGS, PM10, CO, Pb), të dhëna mbi GHG dhe shkarkime të tjera në atmosferë, të dhëna mbi menaxhimin e tokës në zona të kontaminuar (hot-spots), të dhëna mbi mbetjet e ngurta urbane dhe inerte, pesticidet e importuara dhe të përdorura në bujqësi, bilanci i përgjithshëm i ujërave ne Shqipëri, të dhëna mbi ujërat e lumenjve, të dhëna për ujërat e liqeneve, të dhëna mbi ndotjen bakteriologjike të ujërave të deteve në plazhet e Shqipërisë, etj.

Publikimi i fundit

Kalendari

Nuk ka evente në kalendar për këtë temë
Na kontaktoni
Blv. Zhan d'Ark, nr. 3
Tiranë, 1001
Tel:
+355 4 2222 411
Fax:
+355 4 2228300
info@instat.gov.al
media@instat.gov.al

Baza ligjore

  • Ligji Nr. 9180, datë 5.2.2004 "Për statistikat zyrtare", i ndryshuar;
  • Vendim i Kuvendit të Shqipërisë Nr. 3/2013 datë 14/02/2013 "Për miratimin e Programit të Statistikave Zyrtare 2012-2016";

 

 

Variablat kryesore grupohen në këto kategori:

 

  • Menaxhimi i mbetjeve,
  • Gjenerimi i mbetjeve sipas NACE,
  • Trajtimi i mbetjeve sipas kategorive (sasia Ton/vit),
  • Numri i stacioneve për mbledhjen dhe përpunimin e mbetjeve,
  • Raport cilësie mbi mbetjet,
  • Mbetjet Bashkiake,
  • Statistika mbi ujërat e brendshme,
  • Rajonet e bazeneve të lumejve.

Burimet për përditësimin e variablave

Për statistikat e mjedisit INSTAT përdor informacionin e siguruar nga burime të ndryshme statistikore dhe administrative. Të dhënat e përdorura mund të jenë prodhim statistikor i vetë INSTAT ose i institucioneve të ndryshme kombëtare si Ministria e Mjedisit, Angjencia Kombëtare e Mjedisit,  Drejtoritë e mjedisit në Bashki, Instituti i Shkencave të tokës dhe te tjera. Duke krahasuar këto burime me njëra-tjetrën, arrihet të prodhohet një pamje e vetme e të dhënave të mjedisit.

 

Ndotja Atmosferike

Ndotja atmosferike është një dukuri komplekse, që paraqitet me ndryshime të mëdha në kohë dhe hapësirë. Sipas programit të monitorimit të ajrit të kryer nga Instituti i Shëndetit Publik, Instituti i Fizikës Bërthamore, Instituti i Hidrometeorologjisë, Shërbimi Gjeologjik Shqiptar rezulton që pjesa më e madhe e treguesve mjedisore të cilësisë së ajrit respektojnë normat shtetërore dhe ato evropiane. Këtu mund të përmenden përmbajtja e dioksidit të squfurit, oksideve të azotit, ozonit troposferik, plumbit dhe radioaktivitetit beta-total. Programi i monitorimit ka qënë modest, i kufizuar në kohë dhe hapësirë dhe ka zbatuar metoda të matjes pasive. Të dhënat për cilësinë e ajrit në zonat ubane janë të pamjaftueshme për krijimin e një tabloje të qartë. Nga ana tjetër, mungesa e zbatimit të programeve të kontrollit të cilësisë së analizave lë të hapur problemin e shkallës së besueshmërisë së të dhënave. Forcat kryesore lëvizëse që kontribuojnë në uljen e cilësisë së ajrit janë sektorët e transportit dhe ndërtimit Përmbajtja e pluhurit në ajër tejkalon disa herë normat shtetërore. Pjesa më e madhe e automjeteve që qarkullojnë në vend janë të vjetra dhe përdorin si lëndë djegëse naftën. Ka patur pak politika që nxisin përdorimin e automjeteve që përdorin lëndë të djegshme të lehta me probleme më të kufizuara ndotje. Ka pak politika që të nxisë importimin e automjeteve të reja në moshë dhe të pajisura me sistem katalitik për trajtimin e shkarkimeve të gazeve shfryrës. Nuk aplikohen taksa mjedisore për shkarkimet e gazta nga burimet e palëvizshme të ndotjes se shkaktuar nga aktivitetet e bisnesit.

Mbetjet

Mbetjet janë lëndë ose objekte, që dalin nga veprimtaria njerëzore ose ciklet natyrore të destinuara per braktisje. Mbetjet urbane janë ato mbetje që dalin nga aktiviteti i ekonomive shtëpiake, si dhe çdo mbetje tjeter, të cilat për nga natyra e përbërja janë të ngjashme me to. Mbetje të rrezikshme quhen ato mbetje që shkaktojnë dëme e ndotje në mjedis, me ndikime negative për jetën, për shkak të përbërjeve kimike të tyre ose të ndonjë vetie tjetër.

Përdorimi i ujit

Burimet ujore përdoren për qëllime të ndryshme në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, ku vendin më të rëndësishëm e zë uji i pijshëm, uji industrial, uji për ndërtime, ujë për ujitje, turizmi, prodhimi i energjisë, transporti etj.Konsumimi neto i ujit paraqet vëllimin e ujit, i cili nuk kthehet në mënyrë të menjëhershme në zonat ujore.

Uji i pijshëm

 

Monitorimi i ujërave të pijshme arrihet nga një sistem i kontrolluar nga Ministria e Shëndetësisë nëpërmjet ISHP, si dhe Drejtoritë e Kujdesit Publik nëpër rrethe. Standardet e cilësisë së ujit të pijshëm u rinovuan në vitin 1997, duke plotësuar kërkesat e OBSH dhe direktivat e BE.

Ujërat e lumenjve

 

Sipas klasifikimit të UNECE si dhe të të dhënave të mbledhura në stacionin monitorues, tregohet që mbi 80 përqind e ujërave plotësojnë kriteret e kategorisë së parë, psh. lumenjtë në vendin tonë në përgjithësi kanë një cilësi të mirë. Stacionet monitorues e kanë bërë përzgjedhjen në mënyrë të tillë që mostrat e analizuara të merren larg burimeve të ndotjes, në mënyrë që të vlerësohet cilësia mesatare dhe aftësia tretëse e mjedisit pritës.

Treguesit më të zakonshëm për vlerësimin e cilësisë së ujit të lumenjve janë përbërësit organike, nutrientet, nitrogjeni inorganik, si dhe përbërja e substancave mikrondotëse. Treguesit mjedisorë të matur për monitorimin e cilësisë së ujërave të lumenjve dhe përrenjve janë: Lënda inorganike, lënda në suspension, oksigjeni i tretur, nevoja kimike për oksigjen, format e ndryshme të azotit , fosfori total si edhe radioaktiviteti beta-total. Nga të dhënat e monitorimit të lumenjve rezulton se lumenjtë e vendit tonë janë të një cilësie të mire. Ndotja e tyre është kryesisht e natyrës organike për shkak të shkarkimeve të lëngta urbane që derdhen në ta. Lumenjtë më të ndotur vazhdojnë të mbeten Lumi i Gjanicës dhe Lumi Ishëm. Në lumenjtë Mat, Ishëm, Erzen, Shkumbin dhe Seman përmbajtja e O2 të tretur është nën vlerën 100%. Kjo në disa raste ndodh si rezultat i ndotjes nga shkarkimet e lëngta urbane, ndërsa në disa raste të tjera nga shkarkimet komunale-industriale.

Vlerat e radioaktivitetit në lumenjtë luhatet në kufij relativisht të gjerë, nga disa dhjetra deri në rreth 200 mBq/l. Rezultatet e përftuara flasin për nivele normale të radioaktivitetit natyror i cili për ujërat e lumenjve luhatet në vlerat 70-135 mBq/l.

Ujërat në plazhe

 

Plazhet janë shumë të rëndësishme për ekonominë e Shqipërise. Ka shum matje për cilësinë e ujërave larës në plazhe të cilat kryesisht konsistojnë në njohjen e treguesve te ndotjes nga fekalet FC'FS-50 dhe  FC'FS-50. Aktualisht plazhet më të ndotura janë Zhiron, Plepa dhe Xhardino (Durres,Plazhi Vjeter, kabinat dhe shkolla e Marinës (Vlorë) si dhe Dodona dhe Plazhi i Ri ne Sarandë.

Ndotja e ujit

 

Burimi kryesor i tanishëm, për ndotjen e ujërave, janë zonat urbane, industria, dhe pjesërisht bujqësia. Matjet e sasisë së ujërave të zeza, të krijuara nga burime të ndryshme ndotëse dhe përbërja e tyre nuk kontrollohen nga bashkitë. Ndotja e shkaktuar nga industria është ulur si pasojë e zvogëlimit të aktiviteteve të tilla ekonomike në sektorët kyç, si uzinat kimike, metalurgjike dhe minierat.

Shqipëria nuk ka impiante për trajtimin e ujërave. Ndotja kryesore që vjen nga industria shtetërore, krijon sasi të vogla mbetjesh uji, por që kanë një eko-toksicitet. Industria e petroliumit, është ndotësi kryesor i ujit, sepse makro/mikrondotësit në ujërat e zeza të tyre i kalojnë disa herë vlerat limite.

Toka

Humbja e tokës bujqësore nga erozioni llogaritet të jetë nga 20 ton/ha në 70 ton/ha në vit, e në raste të veçanta mbi 100 ton/ha në vit. Sasia e materialeve të ngurta që depozitohet në det përllogaritet në mbi 60 milion tonë në vit (në përbërje të të cilave janë rreth 1 milion e 200 mijë tonë humus, 100 mijë tonë kripëra të nitrateve, 60 mijë tonë kripëra të fosforit dhe 16 mijë tonë kripëra të kaliumit). Zona e brigjeve detare është një ndër zonat më me vlera dhe asete ekonomike, turistike dhe mjedisore.

Kimikatet e rrezikshme

Monitorimi i pesticideve nuk është bërë akoma në mënyrë sistematike, ndërsa hidrokarburet nuk monitorohen në mënyrë të përgjithshme si njësi më vete. Ka të dhëna se shumë ndërmarrje magazinojnë dhe perdorin sasi të vogla  kimikatesh  të rrezikeshme nga ndryshimet strukturore të bujqësisë dhe arsye të tjera financimi. Vitet e fundit vihet re një rënie e sasisë së kimikateve në përdorim.

Mbetjet

Sistemi i administrimit të mbetjeve nuk është i plotë. Ai kufizohet vetëm në largimin publik të mbeturinave dhe jo në asgjesimin e tyre përfundimtar. Egziston një program modest monitorimi i prodhimit dhe përbërjes së mbeturinave urbane. Shkalla e ndërgjegjësimit për rrezikun mjedisor dhe shëndetsor të keqadministrimit të mbeturinave është e ulët. Fushat e plehrave urbane pak janë përzgjedhur mbi bazën e kritereve të shëndosha mjedisore. Administrimi i mbetjeve spitalore është i një niveli të pakënaqshëm.

Ndryshimet klimatike

Konventa Kuadër e Kombeve të Bashkuara për NK është dokumenti i parë ligjor që adreson problemin e NK. Objektivi kryesor i kësaj konvente është "stabilizimi i përqendrimit të gazeve serë në atmosferë në një nivel të tillë që të mund të pengojë interferencen e rrezikshme antropogjenike me sistemin e klimës".

Nivele të tilla duhet të arrihen brenda një kuadri kohor të mjaftueshem, në mënyrë që të lejojnë ekosistemet natyrore të adaptohen natyrshëm me sistemin e klimës, të sigurojë që prodhimi i ushqimit të mos kërcënohet dhe të mundësojë një zhvillim të qëndrueshem ekonomik.

Konventa e NK u ratifikua nga Parlamenti Shqiptar në Janar 1995. Komunikimi Kombëtar përfaqëson një dokument i cili jep një tabllo të qartë të vendit lidhur me inventarizimin e gazeve serë që shkarkohen në atmosferë; analizën e reduktimit të gazeve serë; ndikimin e ndryshimeve të pritshme klimatike dhe masat për adaptim.

Monitorimi i Florës dhe Faunës

Muzeu Kombëtar i Shkencave të Natyrës, Instituti i Kërkimeve për Pyjet dhe Kullotat, Instituti i Kërkimeve të Peshkut, Instituti i Kërkimeve Biologjike dhe Ministria e Bujqësisë dhe e Ushqimit, janë strukturat kryesore për monitorimin e gjendjës së florës dhe faunës në Shqipëri.

Të dhënat për speciet kanë mangësi për shkak të mungesës së studimeve, e cila vjen nga mundësitë e kufizuara logjistike dhe financiare, të qendrave kërkimore.

Zonat e mbrojtura

 

Konventa mbi Diversitetin Biologjik (Artkulli 8) kërkon nga shtetet që e kanë nënshkruar këtë Konventë, që të zhvillojnë sistemet e zonave të mbrojtura.

Përkufizime

Kategoria I

Rezervat Natyrore,Shkencore / Zonë në gjendje të egër: zonë e mbrojtur, e cila administrohet kryesisht për qëllime shkencore ose mbrojtjen e gjendjes së tyre të egër.

Katergoria II

Parqet Kombëtare: zona të mbrojtura të administruara kryesisht për mbrojtjen e ekosistemeve dhe për qëllime rikrijuese.

Përkufizimi: Zona natyrore tokësore dhe/ose detare, të krijuara:

për të mbrojtur tërësinë ekologjike të një ose më shumë ekosistemeve për brezat e tanishëm dhe ata që do të vijnë,

për të përjashtuar shfrytëzimin ose zënien në dukje të njëjtë me qëllimet e krijimit të zonës,

të sigurojë një bazë për mundësira shpirtërore, shkencore, edukative, rikrijuese, dhe për t'u parë nga vizitorët, në  përputhje me mjedisin dhe kulturën e kësaj zone.

Katergoria III

Monument Natyre: zonë e mbrojtur e administruar kryesisht për konservimin e tipareve specifike natyrore.

Përkufizimi: Zona që mbajnë një ose më shumë, tipare specifike natyrale ose natyrale/kulturore të mrekullueshme ose me vlera unike, se mund të jenë të rralla, me cilësi përfaqësuese ose estetike, ose që mund të kenë rëndësi kulturore.

Katergoria IV

Rezerve Natyrore e Menaxhuar: zona të mbrojtura të administruara kryesisht për konservimin nëpërmjet ndërhyrjes menaxhuese.

Përkufizimi: Zonë tokësore dhe/ose detare, subjekte të një ndërhyrje aktive me qëllime administruese në mënyrë që të sigurojë mbajtjen e habitateve dhe/ose të sigurojë kërkesat e specieve specifike.

Katergoria V

Peisazhe tokësore/detare të Mbrojtura: zona të mbrojtura të administruara kryesisht për konservimin dhe rikrijimin e pejisazheve tokësore /detare.Zona të tokës, me breg dhe det, ku ndërveprimi midis njerëzve dhe natyrës me kohë ka prodhuar një zonë të një karakteri të dallueshem, me vlera të mëdha estetike, ekologjike dhe / ose kulturore, e cila shpesh shoqërohet me një diversitet (shumëllojshmëri) biologjik të lartë. Ruajtja dhe tërësia e këtij ndërveprimi tradicional, është jetësor për mbrojtjen, mbajtjen dhe zhvillimin e një zone të tillë.

Katergoria VI

Rezervë e Burimeve të  Mbrojtura : zonë e mbrojtur e administruar kryesisht për përdorimin e qendrueshëm të ekosistemeve natyrore. Zonë me sisteme natyrore të pamodifikuara, të administruara për të siguruar mbrojtjen dhe mbajtjen për një kohë të gjatë të diversitetit biologjik, duke siguruar në të njëjtën kohë një rrjedhë të qendrueshme të produkteve dhe shërbimeve natyrore, për të siguruar nevojat e komunitetit.