Tregtia e Jashtme e Mallrave

Statistikat e tregtisë së jashtme të mallrave përfshijnë të dhëna mbi tregtinë ndërmjet Shqipërisë dhe pjesës tjetër të botës. Informacioni statistikor është i një rëndësie thelbësore për ekonominë shqiptare dhe politikat ekonomike, si dhe për analizën e zhvillimeve të tregut të mallrave individuale.

Statistikat përmbajnë të dhëna të cilat ndahen sipas vendeve partnere, grupvendeve, kapitujve dhe seksioneve të Nomenklaturës së Kombinuar dhe seksioneve të Klasifikimit Ndërkombëtar Standart i Tregtisë (SITC).  Konceptet dhe metodat janë përshtatur për të integruar  dhe krahasuar statistikat e tregtisë së jashtme të mallrave në nivel ndërkombëtar. Të dhënat janë mbledhur, përpunuar dhe shpërndahen në bazë të Ligjit Doganor, Ligji për Statistikat Zyrtare Nr.9180, datë 5.2.2004, Programi Statistikor Zyrtar 2017-2021 dhe në përputhje me metodologjinë ndërkombëtare.

Burimi i Informacionit

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave

Raporti i Cilësisë
Publikimi i radhës
Tregtia e Jashtme, Tetor 2017

Kalendari

DataStatistikaPeriudha
18-12-2017 Tregtia e JashtmeNëntor 2017
Na kontaktoni
Blv. Zhan d'Ark, nr. 3
Tiranë, 1001
Tel:
+355 4 2222 411
Fax:
+355 4 2228300
info@instat.gov.al
media@instat.gov.al

Përshkrimi i të dhënave

Burimi kryesor i sigurimit të të dhënave statistikore të tregtisë së jashtme të mallrave është Drejtoria e Përgjithshme e Doganave. Informacioni qe mblidhet çdo muaj, nëpërmjet Deklaratës Doganore, e cila është vendosur për herë të parë në vendin tonë, në vitin 1992. Kjo deklaratë siguron të dhëna të nevojshme, si për qëllime doganore, ashtu dhe për qëllime statistikore dhe mbledh të dhëna statistikore për periudhën e kryerjes së transaksionit për llojin e mallit, peshën neto, peshën bruto, vlerën statistikore të mallit, vendin destinacion, vendin eksportues, vendin origjinë, tipin e transaksionit, llojin e koncensionit etj.

Statistikat e tregtisë së jashtme regjistrojnë të gjitha mallrat, të cilat shtojnë ose pakësojnë burimet materiale të një vendi nëpërmjet hyrjeve (importeve) ose daljeve (eksporteve) nga territori ekonomik i tij. Mallrat që thjesht janë transportuar përmes një vendi (mallrat në tranzit) ose ato me qëndrim të përkohshëm (përveç mallrave për përpunim pasiv ose aktiv), nuk përfshihen në statistikat e tregtisë së jashtme. Mallra që nuk duhet të përfshihen në statistikat e tregtisë së jashtme janë të tilla si: ari monetar, kartmonedhat dhe letrat me vlerë të emetuara dhe monedhat në qarkullim, mallrat me qëndrim të përkohshëm, mallrat në tranzit, etj.

Mallrat e rekomanduara për t'u përjashtuar nga statistikat e detajuara të tregtisë së jashtme, regjistrohen veçan, me qëllim që  këto të dhëna të detajuara të përpunohen për t'ju shtuar totalit të tregtisë së jashtme për qëllime të llogarive kombëtare dhe të bilancit të pagesave.

Klasifikimet e përdorura

Natyra komplekse e doganave dhe e nevojave statistikore bën të domosdoshëm përdorimin e klasifikimeve të mallrave. Nomenklaturat e perdoruara jane Sistemi i Harmonizuar (HS) si dhe Klasifikimi Standard Ndërkombëtar i Tregtisë (SITC).

Përshkrimi i harmonizuar i mallrave dhe sistemi i kodimit (Sistemi i Harmonizuar ose HS) ose versione të zgjeruara bazuar në HS, siç është Nomenklatura e Kombinuar e përdorur tani provojnë një detajim të tillë. Klasifikimi që përdorin këto nomenklatura bazohet në natyrën e mallrave.

Kategoritë e mallrave më të përdorëshme për analizat ekonomike sigurohen nga Klasifikimi Standard Ndërkombetar i Tregtisë (SITC), i cili i klasifikon mallrat sipas fazave të tyre të prodhimit.

Klasifikime të tjera të përdorura, për nevojat e sektorëve të tjerë janë NACE rev2.1, CPA, BEC, etj.

Sistemet e tregtisë

Sistemet tregtare që përdoren nga statistikat e tregtisë së jashtme janë: sistemi tregtar i përgjithshëm dhe sistemi tregtar i veçantë.

Sistemi tregtar i përgjithshëm

Regjistron të gjitha mallrat që hyjnë ose dalin nga territorri ekonomik i një vendi, duke përjashtuar vetëm mallrat në tranzit. Pra në këtë rast regjistrohen si import të gjitha mallrat që hyjnë në magazinat doganore të një vendi, edhe në rast se nuk dalin ne qarkullim të lire në këtë vend. Në të njejtën kohë të gjitha mallrat që dalin nga magazina doganore e një vendi regjistrohen si eksport i këtij vendi.

Sistemi tregtar i veçantë

Është koncept më i ngushtë. Në këtë rast te gjitha mallrat që hyjnë në magazinat doganore të një vendi nuk regjistrohen si import i këtij vendi. Këto mallra regjistrohen si import vetëm në rast se kalojnë në qarkullim të lire në këtë vend ose vendosen nën procedure doganore për përpunim aktiv. Në mënyrë të ngjashme nuk regjistrohen si eksport të gjitha mallrat që dalin nga magazinat doganore.

Në statistikat e tregtisë së jashtme të mallrave, ne përdorim sistemin tregtar të veçantë.

Koncepte dhe përkufizime

Eksportet

Janë në përgjithësi mallra të destinuara tek një vend i tretë, të vendosura nën regjimin doganor, të përpunimit pasiv, të rieksportuara për t'ju nënshtruar përpunimit aktiv.

Importet

Janë në përgjithësi mallra që vijnë nga një vend i tretë dhe të vendosura direkt në magazinat e ruajtjes, nën procedurat doganore të lejimit për qarkullim të lirë, për përpunim aktiv ose për përpunim nën kontrollin doganor.

Treguesi i hapjes së ekonomisë

Është raporti (import + eksport)/Produkti i brendshëm bruto.

Përqindja e mbulimit

Është raporti midis vlerës së eksportit dhe vlerës së importit.

Bilanci tregtar

Është diferenca midis eksportit dhe importit.

Volumi tregtar

Është shuma e eksportit dhe importit.

Vlera FOB( i lirë në bord) e mallit

Përfaqëson një kusht të shpërndarjes së mallrave, që tregon se çmimi i mallrave përfshin edhe shpenzimet e transportit dhe të dorëzimit, tek një port i caktuar i ngarkimit.

Vlera CIF (kosto, sigurim, transport) e mallit

Përfaqëson një kusht të shpërndarjes së mallrave, që tregon se çmimi i mallrave përfshin sigurimin dhe transportin, deri tek një port i caktuar destinacion.

Territori ekonomik

Është territori ku ligji doganor i një vendi zbatohet tërësisht. (Në shumicën e rasteve, territori ekonomik i një vendi përputhet me territorin doganor të tij)

Territori doganor

Territori doganor i vendit tonë korrespondon me territorin statistikor të tij.

Burimi informacionit

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave