Arsimi

Statistikat e arsimit përfshijnë të dhëna mbi pjesëmarrjen e fëmijëve, nxënësve dhe studentëve në arsimin zyrtar publik dhe privat si edhe diplomimet në arsimin bazë, të mesëm dhe të lartë.

Në universitetet shqiptare aplikohen programet e studimit sipas sistemit të Bolonjës. Drejtimet kryesore në të cilat synon të zhvillohet arsimi i lartë, është kërkesa për universitete sa më cilësore, të orientuara drejt kërkimit shkencor.

INSTAT prodhon treguesit përkatës mbi arsimin bazuar në definicionet ndërkombëtare duke siguruar statistika të krahasueshme në nivel ndërkombëtar. Statistikat mbi arsimin në Shqipëri klasifikohen sipas Klasifikimit ISCED-2011 që përdoret ndërkombëtarisht në statistikat e arsimit.

Raporti i Cilësisë
Publikimi i radhës
Regjistrimet në arsimin parauniversitar, 2021 - 2022

Kalendari

Nuk ka evente në kalendar për këtë temë
Na kontaktoni
Rr. Vllazën Huta, Ndërtesa 35,
Hyrja 1, Tiranë, Kodi Postar 1017
Tel:
+355 4 2222 411
Fax:
+355 4 2228300
info@instat.gov.al
media@instat.gov.al

Metodologji

Statistikat e arsimit paraqesin informacion gjithëpërfshirës mbi regjistrimet dhe diplomimet e nxënësve dhe studentëve në arsimin zyrtar, të dhëna mbi stafin mësimdhënës për çdo vit shkollor/akademik.

Statistikat mbi regjistrimet në arsimin zyrtar pasqyrojnë të dhëna mbi pjesëmarrjen e nxënësve dhe studentëve sipas programeve dhe niveleve arsimore, në institucionet arsimore publike dhe private, me frekuencë vjetore.

Statistikat mbi diplomimet në arsimin zyrtar pasqyrojnë të dhëna mbi numrin e nxënësve dhe studentëve të cilat kanë përfunduar me sukses vitin shkollor/akademik, si në institucionet arsimore publike dhe private, me frekuencë vjetore.

Këto statistika bazohen kryesisht në burime administrative dhe në anketën e Arsimit të të rriturve (AES),  e cila kryhet çdo 5 vjet. Për herë të parë, kjo anketë është zhvilluar në vitin 2017. Gjithashtu, të dhëna mbi nivelin arsimor të popullsisë mbi 25 vjeç, sigurohen nga Anketa e Forcës së Punës (LFS).

Të dhënat administrative mbi arsimin zyrtar që kryhet në vend, INSTAT i përfiton nëpërmjet pyetsorëve të hartuar që më parë dhe që plotësohen nga Ministria e Arsimit, Rinisë dhe Sportit si edhe Ministria e Ekonomisë dhe Financave. Pyetësorët dhe treguesit që llogariten pas përpunimit të të dhënave, janë pjesë përbërëse e Programit të Statistikave Zyrtare (PSZ).

Në përpunimin e të dhënave dhe llogaritjen e indikatorëve të arsimit, INSTAT përdor klasifikimin ISCED-2011, i cili është i përbërë nga këto nivele sipas programeve arsimore:

Niveli 0 – Arsimi parashkollor – çerdhe / kopshte

Niveli 1 – Arsimi fillor ose cikli i ulët i arsimit bazë

Niveli 2 – Arsimi i mesëm i ulët ose cikli i lartë i arsimit bazë

Niveli 3 – Arsimi i mesëm i lartë – Gjimnaz / Profesional

Niveli 4 – Arsimi  pas të mesme por jo i lartë

Niveli 5 – Arsimi i lartë cikël i shkurtërr

Niveli 6 – Bachelor ose ekuivalent

Niveli 7 – Master ose ekuivalent

Niveli 8 – Doktoraturë ose ekuivalent

Shënim: Sipas Ligjit në fuqi të arsimit të lartë Nr. 80/2015, të dhënat e klasifikuara më parë, në nivelin Isced 4, riklasifikohen në nivelin Isced 5.

 

Variablat Kryesorë

Të regjistruar në fillim të vitit shkollor, fëmijë, nxënës dhe studentë sipas:

  • gjinisë
  • moshës
  • programeve dhe niveleve të arsimit
  • në institucionet arsimore publike dhe private

Të diplomuar në përfundim të vitit shkollor sipas:

  • gjinisë
  • programeve dhe niveleve të arsimit
  • fushave të studimit
  • në institucionet arsimore publike dhe private

Stafi mësimdhënës që merr pjesë në proçesin arsimor sipas:

  • gjinisë
  • nivelit arsimor
  • programeve dhe niveleve të arsimit
  • në institucionet arsimore publike dhe private

Institucionet arsimore publike dhe private.

 

Përkufizime

Arsimi parauniversitar përfshin arsimin që kryhet nga institucionet arsimore si kopshte, shkolla 9 vjeçare dhe të mesme.

Arsimi 9 vjeçar ose arsimi bazë, përbëhet nga dy cikle: cikli i ulët ose arsimi fillor i cili kryhet në klasat 1-5 dhe cikli i lartë ose arsimi i mesëm i ulët i cili kryhet në klasat 6-9. Arsimi 9 vjeçar është i detyruar fillon në moshën 6 vjeç dhe zgjat 9 vjet. Nxënësit janë të  detyruar të ndjekin arsimin bazë deri në moshën 16 vjeç.

Arsimi i mesëm i lartë përfshin gjimnazin dhe arsimin profesional; ky i fundit ndahet në profesional të ulët teknik dhe të lartë.

Mësues janë përcaktuar personat, aktiviteti profesional i të cilëve, përfshin transmetimin e njohurive, sjelljeve dhe aftësive që janë percaktuar në programin arsimor tek nxënësit dhe studentët e regjistruar në institucionet arsimore.

Institucion arsimor publik klasifikohet si i tillë, nëse aktiviteti i tij kontrollohet plotësisht nga autoriteti arsimor publik.

I diplomuar në një program arsimor, është një nxënës ose student, i cili ka përfunduar në mënyrë të sukseshme të gjitha kërkesat e programit.

Raporti nxënës për mësues është raporti i nxënësve të regjistruar në një nivel arsimor me numrin e mësuesve në të njëjtin nivel.

Raporti Bruto i Regjistrimit (GER) është numri i të regjistruarve në një nivel të caktuar të arsimit, pavarësisht nga mosha, e shprehur si përqindje e popullsisë zyrtarisht të moshës shkollore që i korrespondon të njëjtit nivel arsimi. Ky raport përdoret për të treguar nivelin e përgjithshëm të pjesëmarrjes në arsim, në një nivel të caktuar të arsimit.

Interpretimi – GER

Një GER i lartë në përgjithësi tregon një shkallë të lartë të pjesmarrjes në nivelin e caktuar të arsimit, pavarësisht nëse nxënësit i përkasin grup moshës zyrtare ose jo.

Arritja e një GER prej 100 përqind është gjithsesi një konditë e nevojshme por jo e mjaftueshme për regjistrimin e të gjithë popullsisë sipas grupmoshës përkatëse në shkollë.

Gjithashtu GER mund të jëtë mbi 100 përqind në sajë të regjistrimit në një nivel të caktuar të arsimit, të nxënësve nën ose mbi moshën përkatëse (zakonisht kjo ndodh në arsimin bazë).

Raporti Neto i Regjistrimit (NER) është numri i përgjithshëm i nxënësve në grupmoshën teorike për një nivel të caktuar të arsimit të regjistruar në atë nivel, i shprehur si përqindje e popullsisë së përgjithshme në atë grupmoshe.
Ky raport përdoret për të treguar shkallën e mbulimit në një nivel të caktuar të arsimimit të fëmijëve dhe të rinjve, që i përkasin grupmoshave zyrtare që korrespondojnë me nivelin e dhënë të arsimit.


Interpretimi – NER

Një NER i lartë në përgjithsi tregon një shkallë të lartë mbulimi për popullsinë zyrtarisht të moshës shkollore, sipas niveleve arsimore. Vlera teorike maksimale që mund të marrë ky tregues është 100 përqind. Trendi rritës i raportit konsiderohet si reflektim i përmirsimit të pjesëmarrjes, në nivelin e caktuar të arsimit. Kur NER krahasohet me GER, diferenca ndërmjet tyre nxjerr në pah regjistrimet nën dhe mbi moshë.

Kufizime

Për arsimin e lartë ky tregues nuk është i përshtatshëm për shkak të vështirësive në përcaktimin e grup moshës përkatëse të popullsisë si pasojë e ndryshimeve të shumta në kohëzgjatjen e programeve në këtë nivel arsimi.

 

Burimi i të dhënave

  • Ministria e Arsimit, Rinisë dhe Sportit
  • Ministria e Financave dhe Ekonomisë