Punësimi dhe papunësia

Anketa e Forcave të Punës ka si objektiv kryesor mbledhjen e informacionit cilësor dhe sasior për vlerësimin e treguesve kryesorë të tregut të punës për të gjithë individët 15 vjeç e lart në Shqipëri. Popullsia e marrë në studim ndahet në tre grupe kryesore: të punësuar, të papunë dhe jashtë forcave të punës

Raporti i Cilësisë
Publikimi i radhës
Anketa Tremujore e Forcave të Punës, T3 - 2017

Kalendari

DataStatistikaPeriudha
12-12-2017 Anketa Tremujore e Forcave të PunësT3-2017
Na kontaktoni
Blv. Zhan d'Ark, nr. 3
Tiranë, 1001
Tel:
+355 4 2222 411
Fax:
+355 4 2228300
info@instat.gov.al
media@instat.gov.al

Anketa e Forcave të Punës

Anketa e Forcave të Punës (AFP) është një vrojtim statistikor që kryhet pranë familjeve. Subjekt i anketës së forcave të punës janë të gjithë individët 15 vjeç e lart të familjes së zgjedhur për t’u intervistuar.

Zgjedhja bëhet sipas një procedure dy-hapëshe ku në hapin e parë zgjidhen zonat gjeografike me probabilitet përpjesëtimor me madhësinë e zonës së numërimit. Në hapin e dytë, brenda secilës prej zonave gjeografike (të zgjedhura në hapin e parë) zgjidhen sipas metodës së zgjedhjes sistematike me probabilitet të barabartë një numër fiks familjesh. Masa e kampionit eshte 7.900 familje per cdo tremujor.  

Për realizimin e anketës të forcave të punës përdoret një strukturë panel e alternuar zgjedhjeje, përmes së cilës një familje e zgjedhur për t’u intervistuar njëherë, mbahet në kampion për pesë tremujorë të njëpasnjëshëm. Intervistat për të njëjtën familje janë planifikuar të kryhen pas 13 javëve, kështu intervista e pestë kryhet një vit më pas intervistës së parë.

Mbledhja e të dhënave në terren bëhet përgjatë gjithë muajve të vitit. Të dhënat e mbledhura i referohen një periudhe të caktuar që njihet si javë reference.

Java e referencës është java kalendarike nga e hëna në të diel para datës së intervistës.

Për procedurën e përgjithësimit të të dhënave të anketës së forcave të punës u përdor popullsia e llogaritur mbi bazën e rezultateve të Censusit të Popullsisë dhe Banesave 2011 dhe ngjarjeve demografike (lindjet dhe vdekjet) që vijnë nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile.

Përgjithësimi i të dhënave ndjek disa hapa duke marrë parasysh metodën e zgjedhjes, rregullimet  për mos-përgjigjen në nivel familjeje, dhe kalibrimin me të dhënat demografike.

Shkalla e përgjigjes së familjeve në anketë llogaritet si raport i numrit të familjeve që kanë plotësuar anketën ndaj numrit të familjeve të zgjedhura, shprehur në përqindje.

Çdo anketë e zhvilluar nga INSTAT bazohet në zgjedhjen e një kampioni për të nxjerrë përfundime për popullsinë në studim. Natyrshëm, ky proces shoqërohet me devijime statistikore. Për këtë arsye llogariten devijimet standarde të zgjedhjes të cilat përdoren për interpretimin e rezultateve të anketës. Devijimet standarde të zgjedhjes përdoren për interpretimin shkencor të rezultateve të anketës.

Përkufizime

Të punësuar janë konsideruar personat që kanë kryer një punë qoftë dhe një orë kundrejt një page ose përfitimi gjatë javës së referencës. Janë konsideruar si të punësuar edhe personat që marrin pagë për trajnimin gjatë punës. Të punësuar janë konsideruar edhe personat që kanë munguar përkohësisht në punën e tyre gjatë javës së referencës për arsye: (1) leje lindje, sëmundje lëndim apo paaftësi e përkohshme dhe presin të kthehen në punë, në shkollim/trajnim të lidhur direkt me punën aktuale; (2) të punësuarit me pagë që kanë munguar në punë për arsye të tjera nga të mësipërmet që (a) kohëzgjatja e mungesës është tre muaj ose më pak dhe personi nuk është punëtor sezonal ose (b) personi merr 50 përqind ose më shumë të pagës; (3) të vetëpunësuarit që kanë ndërmend të rikthehen në biznesin / fermën / praktikën profesionale; (4) punëtorët pa pagesë që presin të kthehen në punë në tre muaj ose më pak.Personat të cilët punojnë në fermën e tyre të vogël, të cilët nuk shesin produktet e tyre, por prodhojnë vetëm për vetë-konsum, janë konsideruar të punësuar.

Të papunë konsiderohen personat që gjatë javës së referencës ishin: 1. pa punë gjatë javës së referencës (as nuk kishin një punë dhe as kryen ndonjë punë (për një orë ose më shumë) kundrejt një page ose përfitimi; 2. aktualisht të disponueshëm për të punuar (brenda dy javëve që pasojnë javën e referencës); 3. duke kërkuar punë  në mënyrë aktive (gjatë periudhës katër javore që përfundon me javën e referencës kishin ndërmarrë hapa specifike për të kërkuar punë me pagë ose për të ngritur një biznes të tyrin) ose kishin gjetur një punë që do ta fillonin së shpejti (brenda një periudhe prej të shumtën tre muaj).

Si  hapa specifikë për të kërkuar punë konsiderohen:

  • Kontakt me një zyrë publike punësimi për të gjetur punë;
  • Kontakt me një agjensi private punësimi për të gjetur punë;
  • Aplikim direkt pranë ndonjë punëdhënësi;
  • Kërkuar miqve/shokëve, të afërmve, sindikatave etj;
  • Vendosur ose përgjigjur lajmërimeve në gazeta;
  • Studiuar lajmërimet në gazeta;
  • Marrë pjesë në një test apo intervistë;
  • Kërkuar për tokë, godinë ose pajisje;
  • Aplikuar për leje, liçenca ose burime financiare.

 

Popullsia në moshë pune është popullsia 15-64 vjeç.

Forca e Punës përfshin personat e punësuar dhe të papunë.

Popullsia jo-ekonomikisht aktive përfshin të gjithë personat të cilët nuk janë klasifikuar si të punësuar ose të papunë (nxënës/studentë, shtëpiakë, në shërbim të detyrueshëm ushtarak, në pension, të paaftë, të papunë të dekurajuar).

Shkalla e punësimit është raporti i të punësuarve 15-64 vjeç kundrejt popullsisë në moshë pune.

Shkalla e papunësisë është raporti i të papunëve kundrejt forcës së punës.

Shkalla e pjesëmarrjes në forcën e punës është raporti i forcës së punës kundrejt popullsisë në moshë pune.