Krimet dhe Drejtësia Penale

Statistikat e krimeve pasqyrojnë të dhëna për çdo hallkë të sistemit të Drejtësisë, që përfshijnë Polici - Prokurori - Ministria e Drejtësisë - dhe Burgjet.

Ky modul përmban të dhëna për veprat penale, autorë dhe persona të dëmtuar, gjithashtu të dhëna për persona të dënuar dhe të burgosur ndër vite.

Publikimi i radhës
Statistikat e Krimeve, 2018

Kalendari

DataStatistikaPeriudha
30-04-2019 Statistikat e Krimeve2018
Na kontaktoni
Rr. Vllazën Huta, Ndërtesa 35,
Hyrja 1, Tiranë, Kodi Postar 1017
Tel:
+355 4 2222 411
Fax:
+355 4 2228300
info@instat.gov.al
media@instat.gov.al

Metodologjia dhe përkufizime

Statistikat e krimeve dhe drejtësisë penale bazohen kryesisht në të dhëna administrative, nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, Prokuroria e Përgjithshme, Ministria e Drejtësisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.

Klasifikimi i përdorur për prodhimin e këtyre statistikave bazohen në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë: http://www.pp.gov.al/web/kodi_penal_2017_1200.pdf

Të dhënat e mbledhura nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë përfshijnë të dhëna për veprat penale, autorë dhe persona të dëmtuar. Statistikat mbi veprat penale bëjnë fjalë për vepra specifike të regjistruara nga policia, klasifikimi i të cilave bazohet në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë. Veprat e regjistruara janë ngjarje të evidentuara, jo gjykime të cilat janë në kompetencë të organeve të drejtësisë për të dhënë verdiktin.Të dhënat mbi autorët bazohen në persona të dyshuar në kryerjen e një vepre penale. Të dhënat mbi të dëmtuarit përfshijnë të dhëna mbi veprat specifike dhe të dëmtuarit sipas gjinisë.

Të dhënat e mbledhura nga Prokuroria e Përgjithshme përfshijnë të dhëna mbi procedimet penale të regjistruara nga prokuroria, përsona të pandehur sipas veprave specifike në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë.

Të dhënat nga Ministria e Drejtësisë përfshijnë të dhëna mbi të dënuarit sipas gjinisë dhe grupmoshës, të dënuarit sipas llojit të krimit të kryer, dhe numri i të dënuarve sipas gjinisë. Të dënuarit pasqyrojnë numrin e individëve ndaj të cilëve janë aplikuar sanksione penale të cilat konsistojnë në marrjen apo kufizimin e disa të drejtave të cilat i kanë gëzuar deri në momentin e kryerjes së veprës penale. Sanksione këto që konsistojnë në dënime me burg, gjobë ose dënime alternative. Dënimet alternative mund të jenë gjysmëliria, punë në interes publik, pezullimi dhe qëndrimi në shtëpi.

Të dhënat nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve përfshijnë personat e mitur (nën 18 vjeç), të rritur (mbi 18 vjeç) sipas gjinisë të cilët janë dënuar me vendim të formës së prerë si edhe të paraburgosurit ndër vite. Numri i të burgosurve tregon gjendjen e të burgosurve në një vit të caktuar duke përfshirë hyrjet e reja dhe daljet që ndodhin për periudhën në fjalë.

Përkufizime

Vepra penale: Sjelle, veprime apo mosveprime me të cilat cënohen, dëmtohen vlerat juridike të njeriut dhe të bashkësisë së caktuar quhen vepra penale apo me një term të përgjithshëm kriminalitet. Ato ndahen në krime dhe kundrëvajtje penale.

Kundërvajtje penale: Kundrëvajtjet paraqesin vepra të tilla me të cilat cënohet apo dëmtohen të mirat juridike me vlerë më të vogël krahasuar me veprat penale, pra cënojnë rendin juridik por nuk prekin bazat e tij dhe nuk kanë pasoja të rënda shoqërore.

Vepra penale të evidentuara: Vepra të raportuara në polici ose mbi të cilat policia ka njohuri mbi to në mënyra të tjera.

Krime kundër personit: Kuptohen ato vepra (veprime ose mosveprime) të kundërligjshme, të kryera me dashje ose nga pakujdesia, të cilat prekin ose vënë në rrezik jetën, shëndetin, liritë, paprekshmërinë seksuale, nderin e dinjitetin e personit, të mbrojtura posaçërisht nga legjislacioni penal.

Krime kundër pasurisë dhe në sferën ekonomike: Përfshihen vjedhje pasurie, mashtrime, krime në fushën e doganave, tatim-taksave, shkatërrimi i pronës dhe krime që cënojnë regjimin juridik të tokës etj.

Vrasje me dashje: Vepër i kundraligjshëm, me anë të së cilës i hiqet jeta një personi tjetër me dashje. Përshihen veprat penale si:Neni 76 vrasje me dashje, Neni 77 vrasje me dashje në lidhje me një krim tjetër, Neni 78 vrasje me paramendim, Neni 78/a vrasje për gjakmarrje, Neni 79 vrasje në rrethana cilësuese, Neni 79/a vrasje e funksionarëve publik, Neni 79/b vrasja e punonjësve të policisë së shtetit, Neni 79/c vrasje për shkak të mardhënieve familjare, Neni 81 vrasje e foshnjës.

Krime seksuale: Marrëdhëniet juridike të vendosura në sferën e sigurisë së lirisë seksuale dhe të zhvillimit normal të formimit seksual,  të mbrojtura posaçërisht  me legjislacionin penal. Përfshihen Nenet 100-108/a të Kodit Penal.

Krime me dashje kundër shëndetit: përfshihen nenet 86-90 të Kodit Penal.

Mashtrim: Kuptohet marrja ose hedhja në dorë me anë të gënjeshtrës ose të shpërdorimit të betimit të pasurisë apo të të drejtave pasurore të personit fizik, personit juridik ose të shtetit, me qëllim të përfitimit material për vete ose për të tjerët. Përfshihen Nenet 143-149/b të Kodit Penal.

Krime në fushën e drogës: Përfshijnë veprat si prodhimi, kultivimi, shitja e lëndëve narkotike dhe trafikimi i tyre. Përfshihen veprat penale si:Neni 283 Prodhimi dhe shitja e narkotikëve, Neni 283/a Trafikimi i narkotikëve, Neni 284 Kultivimi i bimëve narkotike, Neni 284/c Prodhimi dhe fabrikimi i lëndëve narkotike dhe psikotrope.

Fallsifikim monedhash: përfshihet neni 183 i Kodit Penal.

Shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor: përfshihet veprat penale si:Neni 290 Shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor, Neni 291 Shkelje e rregullave të qarkullimit  rrugor në gjendje të dehur, pa dëshmi, Neni 273 Largim nga vendi i aksidentit.

Dhuna në familje: Përfshihen ato akte si rrahja, apo vepër  tjetër dhune, kanosje serioze për vrasje ose plagosje të rëndë, ndaj personit që është bashkëshort, ish bashkëshort, bashkëjetues apo ish bashkëjetues, gjini e afërt ose krushqi e afërt me autorin e veprës penale, me pasojë cënimin e intergritetit fizik, psikosocial dhe ekonomik të tij. Neni 130/a i Kodit Penal.

Autorë: Persona të cilët me veprimin ose mosveprimin e tyre lejon që të ndodh një vepër penale pra shkakton pasojën e veprës penale. Autorët mbi 14 vjeç kanë pergjegjësi penale ndërkohë fëmijët nën 14 vjeç janë të përjashtuar nga përgjegjësia penale.

I dëmtuar: Personi të cilit çfarëdo e drejtë personale ose pasurore i është shkelur ose i është rrezikuar me veprën penale.

I mitur: Është çdo person nën moshën 18 vjeç.

I mitur në konflikt me ligjin është çdo person që ka mbushur moshën e përgjegjësisë penale deri nën moshën 18 vjeç, ndaj të cilit ekziston një dyshim i arsyeshëm se ka kryer një vepër penale, është marrë si i pandehur dhe/ose është dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale.

I rritur: Është çdo person mbi 18 vjeç.

I pandehur: Konsiderohet personi të cilit i është atribuar vepra penale përmes aktit të njoftimit të akuzës, i cili përmban dëshmi të mjaftueshme për marrjen e personit si i pandehur.

I dënuar: Personi i cili me veprat apo sjelljet e tij  ka cënuar apo ka dëmtuar të mirat juridike që mbrohen me ligj. Ndaj këtyre personave aplikohen sanksione penale të cilat konsistojnë në marrjen apo kufizimin e disa të drejtave të cilat i kanë gëzuar deri në momentin e kryerjes së veprës penale.

Çështje penale: të gjitha ato çështje të cilat përpunohen në bazë të ligjit penal kombëtar.

Çështje civile: të gjitha ato çështje të cilat përpunohen në bazë të ligjit civil kombëtar.

Numri i të burgosurve: Numri gjithsej i të burgosurve tregon numrin e personave të mbajtur në ambjentet e burgjeve, institucione të tjera, institucionet e burgosjes së të miturve, spitalet psikiatrike ose spitale të tjera. Përfshijnë si të dënuarit me burg dhe të paraburgosurit.

I dënuar me burg çdo person, shtetas shqiptar, i huaj apo pa shtetësi, i dënuar me burgim me vendim të formës së prerë të gjykatave shqiptare dhe në përputhje me marrëveshjet ndërkombëtare edhe të gjykatave të huaja, duke respektuar kërkesat përkatëse procedural.

I paraburgosur: Përfshihen personat, shtetas shqiptar, i huaj apo pa shtetësi, ndaj të cilëve është marrë masë sigurimi “arrest në burg’’.

Koeficenti i kriminalitetit: Numri i veprave penale të evidentuara për 10 mijë banorë në një vit të dhënë.

Normën e të burgosurve shpreh numrin e përgjithshëm të personave të mbajtur në burgje në privim lirie ndaj popullsisë residente prej 10 mijë banorë, në një vit të dhënë.

Të paraburgosur në privim lirie shpreh numrin e përgjithshëm të personave të mbajtur në paraburgim që ende nuk janë dënuar, si përqindje ndaj numrit të përgjithshëm të personave të mbajtur në burgje në një vit të dhënë.

Koeficenti i personelit te policisë shpreh numrin total të oficerëve të policisë shprehur për 10 mijë banorë në një vit të caktuar.