Vendimarrja në politikbërje

Përmirësimi i ndjeshëm i rritjes së grave anëtare në Parlamentin e Shqipërisë u bë i mundur pas përfshirjes së kuotës 30% në ndryshimet e kodit elektoral, në vitin 2008.

Në Zgjedhjet Parlamentare të vitit 2009, pjesëmarrja e grave në parlament u rrit me më shumë se dyfish, nga 7,0 në 16,0%. Tendenca në rritje vihet re edhe në zjedhjet parlamentare 2013, ku arriti në 18,0%. Nga viti 2013 deri në vitin 2017, tendenca në rritje e numrit të grave dhe vajzave në parlament ka vazhduar si efekt i zëvendësimit të burrave deputetë me gra deputete, si pasojë e lënies së mandateve. Si rezultat i këtij zëvendësimi në vitin 2017, ka 29,0% gra, anëtare në Parlament.

Ndryshimet në kodin elektoral bënë të mundur që të përmirësohet ndjeshëm përfaqësimi gjinor edhe në organet e qeverisjes vendore. Në përbërje të listave me kandidatë në zgjedhjet për kryetar bashkie të vitit 2015, kishte 10,0% gra. Kandidatët/et fitues për kryetar bashkie ishin 15,0% gra dhe kjo përqindje mbetet e tillë edhe sipas vlerësimit në dhjetor 2017. Përbërja e listave në zgjedhjet për Këshillat Bashkiakë në vitin 2015, ishte 49,0% gra. Përqindja e grave ndër kandidatët fitues në zgjedhjet vendore të atij viti ishte 35,0%, ndërsa sipas vlerësimit të bërë në dhjetor 2017, përqindja e grave ndërmjet këshilltarëve të bashkive është 37%.


Kapitulli / Vendimarrja dhe karriera / Vendimarrja në politikbërje