Raporti gjinor në lindje është 1,07, që tregon se për çdo 100 vajza të lindura, lindin 107 djem. Ky raport është më i lartë se raporti natyral, i cili është 1,05. Raporti gjinor për popullsinë gjithsej është 99,7, që do të thotë se për çdo 100 gra në Shqipëri jetojnë 99,7 burra. Viti 2020, është viti i tretë që nga Cens 2011, që numri i grave në Shqipëri është më i lartë se ai i burrave.
Nga të dhënat e Anketës së Buxhetit të Familjeve, rezulton se në vitin 2019 kishte 771.600 NjEF në Shqipëri, prej të cilave 87,2 % me kryefamiljarë burra dhe 12,8 % me kryefamiljare gra. Sipas anketës, gratë kryefamiljare janë më shumë prezente sesa burrat në tipologjinë e familjes “person i vetëm”, numri i tyre është 2,2 herë më i madh se ai i burrave. Në Shqipëri, njësitë ekonomike familjare me kryefamiljarë burra janë 6,8 herë më shumë se familjet me kryefamiljare gra. Grupmosha 55-64 vjeç paraqet numrin më të lartë të familjeve me kryefamiljarë burra, dhe grupmosha 65-74 vjeç për gratë. Për të gjitha grupmoshat, numri i familjeve me kryefamiljarë burra është më i lartë.