Përmirësimi i ndjeshëm i pjesëmarrjes së grave anëtare në Parlamentin e Shqipërisë u bë i mundur pas përfshirjes së kuotës 30 % në ndryshimet e kodit elektoral, në vitin 2008.

Në Zgjedhjet Parlamentare të vitit 2009, pjesëmarrja e grave në parlament u rrit me më shumë se dyfish, nga 7,1 në 16,4 %. Tendenca në rritje vihet re edhe në zjedhjet parlamentare 2013, ku arriti në 17,9 %. Nga viti 2013 deri në vitin 2020, tendenca në rritje e numrit të grave në parlament ka vazhduar si efekt i zëvendësimit të burrave deputetë me gra deputete, si pasojë e lënies së mandateve. Si rezultat i këtij zëvendësimi në vitin 2020, ka 29,5 % gra, anëtare në Parlament.

Ndryshimet në kodin elektoral bënë të mundur që të përmirësohet ndjeshëm përfaqësimi gjinor edhe në organet e qeverisjes vendore. Në përbërje të listave në zgjedhjet për kyretar bashkie të vitit 2015, pjesëmarrja e gruas si kandidate përbënte 10,8 % dhe 14,8 % gra rezultuan fituese për kryetar bashkie. Pjesëmarrja e gruas në zgjedhjet për Këshillat Bashkiakë ishte më e lartë; kandidatet gra në zgjedhjet e Këshillit Bashkiak ishin pothuajse të barabartë me pjesëmarrjen e burrave, përkatësisht 49,4 % gra. 34,8 % e kandidatëve gra rezultuan fituese në zgjedhjet e vitit 2015.

Përafërsisht e njëjta situatë shihet edhe në zgjedhjet vendore të vitit 2019. Në përbërje të listave me kandidatë për kryetar bashkie ishin 11,3 % gra. Kandidatet fitues për kryetar bashkie ishin 13,1 %. Përqindja e kandidateve gra në zgjedhjet e vitit 2019 për Këshillat Bashkiak ishte pothuajse e njëjtë me zgjedhjet për Këshillat Bashkiak të vitit 2015, ndërkohë përqindja e kandidatëve fitues ishte më e lartë, përkatësisht 43,7 % nga 34,8 % në zgjedhjet e vitit 2015.


Kapitulli / Vendimarrja dhe karriera / Vendimarrja në politikbërje